Filozofojme SeriPedagogë, studentë dhe studiues të filozofisë u mblodhën në edicionin e tretë të “Anuareve të Filozofisë” Llogara 2017, organizuar nga Klubi i Filozofisë “Russel” në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës

Një grup pedagogësh, studentësh, dashamirës të filozofisë rrotull këtij grupimi, prej më shumë se 3 vitesh përmes një numri aktivitetesh që janë Klubi Russell çdo të mërkurë, Russell Talk çdo tre muaj dhe një herë në vit “Anuaret e filozofisë” që mbahen në Llogara, kanë ndërtuar një lloj komuniteti rreth debatit filozofik, një lloj refleksioni ndaj kësaj disipline kaq të rëndësishme për historinë njerëzore dhe sidomos për sistemin arsimor. Po flasim për Klubin e Filozofisë “Russell” i ngritur pranë Universitetit Europian të Tiranës i cili fundjavën që shkoi organizoi “Anuratet e Filozofisë” në Llogara, një traditë përvitshme ku dashamirës të filozofisë reflektojnë për rëndësinë e saj në qytet dhe sidomos në arsim.
Sipas Henri Çilit, një nga themeluesit e UET-it dhe ideator i këtij klubi, kjo iniciativë ka insistuar në rikthimin e filozofisë në qytet. “Inciativa bën pjesë në detyrat thelbësore të institucioneve universitare, pa të cilat universiteti nuk mund të kuptohet, jo vetëm aq por ne themi që dija në një universitet të pavarur, jo vetëm që nuk mund të eleminohet, por ka një vend të posaçëm për të rritur kualitetin e studimeve në përgjithësi në nivel horizintal të të gjitha degëve”.

Filozofia fiton vendin që i takon

Në vitin 2015 takimi i Llogarasë doli me një peticion-kërkesë për Ministrinë e Arsimit ku kërkohej rikthimi i Filozofisë në vendin që i takon në Maturën Shtetërore, si një lënde e rëndësishme në formimin e përgjithshëm të studentëve, në formimin e mendimit dhe formimin shpirtëror të tyre dhe për impaktin që ajo ka drejtpërdrejt apo tërthorazi në cilësinë e maturantëve tanë apo në sistemin parauniversitar.
“Fryt i kësaj inciative janë të paktën disa rezultate të prekshme”- thotë Çili, i cili thekson se “peticioni që u bë në vitin 2015 është dëgjuar dhe filozofia është kthyer nga një lëndë opsionale në një lëndë të detyrueshme dhe së shpejti do të futet dhe në provimet e maturës shtetërore si të gjitha vendet e qytetëruara të Bashkimit Europian, ku filozofia zë një vend të rëndësishëm, ku më shumë e ku më pak”.

Një arritje të madhe e konsiderojnë këtë edhe dy mësues të lëndës së Filozofisë që ishin pjesë e aktivitetit në Llogara, Marsida Shehi dhe Ylli Pitarka.
“Është filozofia që ndihmon mjaft individin për t’i përballur me sukses, për të pasur një mendim cilësor, forcë argumenti dhe sigurisht që kjo ndihmon jo vetëm nxënësit, por ndihmon sigurisht edhe në zhvillimin e shoqërisë dhe themi se është një arritje mjaft e madhe rikthimi i filozofisë sot në kurrikulën bërthamë të arsimit”– shprehët Marsida Shehi.

Sipas Ylli Pitarkës: “Kemi vite rresht që kemi një mungesë, ku para dy vitesh ishin vetëm 13 nxënës që zgjodhën filozofinë si lëndë me zgjedhje dhe provim të shtetit, ndërkohë vitin e kaluar vetëm 7 nxënës. Pra kjo do të thotë që gjithmonë e më tepër filozofia po shkonte drejt zhdukjes”.

Rëndësia e Filozofisë

“Është e rëndësishme për një shoqëri që duhet të përballë në mënyrë të dyfishtë, jo vetëm të përgatisë maturantë të gatshëm për arsimin e lartë me aftësitë kritike, me mendim të strukturrua, por në një shoqëri demokratike për të përballuar ndryshimet e mëdha në një botë në tronditje, në një botë që lëviz me shpejtësi dhe efektet e së cilës ne i shohim dhe ku nuk jemi të papërgatirur, por pse jo dhe për një kënaqësi puro intelektuale”- thekson Çili.
Për të qenë sa më gjithpërfshirës këtë vit në “Anuaret e Filozofisë” u ftuan të jenë pjesë maturantë dhe mësues të Filozofisë duke ndarë me ta lajmin e gëzuar se duke filluar nga viti tjetër kjo lëndë është bërë lëndë e detyrueshme e programit mësimor të gjimnazeve. Shumë profesorë të traditës i janë bashkangjitur kësaj tradite si profesor Gjergj Sinani, një veteran katedrës së Filozofisë, profesor Hysamedin Ferraj, Ilir Shqina, ish-pedagog i Filozofisë, dhe shumë pedagogë e dashamirë të Filozofisë që janë bërë pjesë e refklesionit dhe diskutimit.

Një diplomë në Filozofi

Në kurrikulën e universitetit Europian të Tiranës ekzistojnë aktualisht një bërthamë lëndësh si; Hyrja në filozofi, Filozofia moderne, Llogjika, Epistimologjia; Etetika; Filozofia e fesë; Filozofia politike; Filozofia e së drejtës, etj.. të cilat kanë krijuar tashmë një traditë me tekstet dhe përkthimet më të mira për të adoptuar si shkollë filozofinë analitike dhe këtë vit UET pret lajmin e shumëpritur që të ketë drejtimin e Filozofisë si degë më vete. Prej disa vitesh UET ka hapur një program të veçantë për Filozofinë dhe ka nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë studentëve duke i mbështetur ata me bursa.

Gjatë 3 ditëve të aktivitetit në Llogara pati diskutime mbi rolin e filozofisë në jetën e përditshme, filozofinë si një pjesë e rëndësishme në formimin akademik, ku ndahet e bashkohet filozofia me shkencën, filozifia dhe feja, etj..


Boks jashte shkrimi

Çfarë është Klubi i Filozofisë “Bernard Russell”

Klubi i Filozofisë Russell ka marrë emrin e Bernard Russell, një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, nobelist në Letërsi, themelues i lëvizjes analitike në filozofinë anglo-amerikane. I ngritur me inciativë të disa pedagogëve dhe studentëve të UET-it, këtij klubi i janë bashkangjitur miq të filozofisë nga jashtë UET, si profesorët Gjergj Sinani, Ilir Shqina, Hysamedin Ferraj etj., si dhe dashamirës apo praktikues të Filozofisë në qytet. Klubi mblidhet çdo të mërkurë në UET me diskutime të veprave apo tezave të filozofëve që kanë pasur ndikim në të gjitha kohërat. Një herë në vit organizon “Anuaret e Filozofisë” në Llogara, Vlorë, i cili është kthyer tashmë në një traditë. Vitin e parë të këtij forumi, në fund të takimit 3-ditor, u hartua një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera publike, ku kërkohej rikthimi i Filozofisë në shkollat e mesme, si dhe nxitja e mbështetja e degës së Filozofisë nëpër universitete. Me iniciativë të këtij Klubi, në 2015-n u soll në shqip libri i Bertrand Russell, “Një përvijim i filozofisë”, me përkthim të Daut Gumenit dhe parathënie të Spartak Ngjelës.