Perparim-FugaPërparim Fuga, fizikan bërthamor, mban titullin shkencor “Profesor” që nga viti 1994, mban titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” që nga viti 1987; si dhe mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” që nga viti 1993 dhe atë “Kandidat i Shkencave” që nga viti 1982. Nga Nëntori i vitit 2010 është profesor në Universitetin Europian të Tiranës në të cilin zhvillon aktivitetin e tij akademik si lektor titullar në lëndët mbi sigurinë kombëtare dhe statistikën në shkencat sociale. Aktualisht profesor Përparim Fuga kryen edhe detyrën e Prorektorit të Universitetit.

Prof. Dr. Përparim Fuga ka një eksperiencë akademike dyzet–vjeçare në fushën e fizikës bërthamore, si pedagog në Universitetin e Tiranës (1971–1973) dhe, si studiues në Institutin e Fizikës Bërthamore në Tiranë (1973–2003). Pas viteve 1990, profesor Përparim Fuga ka kryer edhe detyra të rëndësishme me karakter drejtues në fushën e shkencës si Drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (IFB) në Tiranë (1991–1994) dhe si Sekretar Shkencor për Shkencat Natyrore e Teknike në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë (1999–2003). Gjatë po kësaj periudhe (1999–2003), Profesor Përparim Fuga ka qenë edhe Kryeredaktor i revistës The Albanian Journal of Natural and Technical Sciences, botim në gjuhën angleze në fushën e shkencave natyrore, teknike e jetësore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij, profesor Përparim Fuga është shquar për një aktivitet të gjerë dhe për rezultate të spikatura në fushën e fizikës bërthamore. Ai ka drejtuar një sërë projektesh shkencore të rëndësishme, ndër të cilat projektin për ndërtimin e një reaktori bërthamor eksperimental në Shqipëri (1987–1994) dhe atë për ndërtimin e një laboratori për analizimin e elementëve gjurmë pranë IFB në Tiranë (1996–2001). Profesor Përparim Fuga është autor i mbi 30 artikujve shkencore, nga të cilët 7 në revista të njohura ndërkombëtare si dhe pjesëmarrës me referime e kumtesa në një numër të madh konferencash shkencore brenda e jashtë vendit.

Në periudhën 2002–2010, përmes konkurrimit individual, Profesor Fuga iu bashkua Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me qendër në Vjenë. Gjatë kësaj periudhe, ka fituar një eksperiencë të pasur në shumë drejtime, përfshirë problemet e sigurisë ndërkombëtare. Për kontributin e tij në veprimtarinë e IAEA-s, ai është vlerësuar me “Çmimin e Meritës” të IAEA-s. Përparim Fuga është pjesë e atij grupi punonjësish të Agjencisë që u nderuan me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2005, kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e ndau atë me Drejtorin e Përgjithshëm të saj të asaj kohe, z. Mohamed ElBaradei. 

publikime